Wednesday, December 10, 2008

Bukuria Ideale

Ku është pra bukuria që ëndrron poeti?
Asnjë nga artet s’është interpretja e saj e denjë,
Atij do t’i pëlqente shpesh, i humbur nga ëndrra,
Të ngatërronte atë që Zoti veçoi për njeriun,
Do donte t’ia shtonte kuptimet pikturës.
Nëse muza shkërbente sipas dëshirës Natyrën,
Format, mendimi dhe zhurmat e hallakatura,
Do vinin të mblidheshin në prizmin e arteve,
Qëndra ku bukuritë e bashkuara të gjithësisë
Sjellin në zemër të gjitha harmonitë,
Gjëmimet e ngjyrat, nga toka e nga qiejt,
Veskun për veshin e veskun për sytë,
Zgjimin e zogjve, këngën virgjërore,
Perlën dhe rrezet e agut mëngjezor,
Zërin rënkues të psherëtimave të natës,
Renë e humbur përmbi lumin prijës,
Shkreptimën që bie nga qielli duke çarë hapsirën
Si një shpatë e Zotit që kalon e rikalon,
Britmat e udhëtarit të humbur në pyll,
Thirrjen e këmbanares që dëgjohej përvajshëm
Fjalë dashurie përzierë me erën mbi dallgë,
Dhe emocionin e thellë të dhimbjeve të qashtra.
Do dëgjoheshin bashkë, do kapeshin me një vështrim
Në avujt e veriut dobësia e krenaria,
Krenaria mizore e egër e heronjve të resë;
Dhe bukuritë bjonde që qajnë në shtërngatë;
Këngët e tyre do ngriheshin në rrafshinat e ajrit,
Shqyti hyjnor do gjëmonte nën hekur,
Harpa e psherëtimat e elegjive të mjegullta
Do mplekseshin me britmat e orgjive të përgjakshme,
Dhe himnet vajtuese të vajzave të fitimtarit
Me qeshjen e luftëtarit që ndjen zemrën t‘i shpohet.
Tragjedia e larë në lot do fliste lakuriq,
Njeriu do dëgjonte tingujt e një gjuhe të panjohur,
Më të bukur se zërat e Homerit e Miltonit,
Zotat do kuvendonin për fatkeqësitë e tokës.
Natën rrezja vetmitare e pyjeve
Duke u dridhur do zbriste në buzët e gjuetarit…

Fjalë që do na thonin zëulët me butësi
Çfarë është dashuria për njeriun në zemrën e hyjneshës.
Përpara altarit të ngashëryer prej një mrekullie të re,
Nën zjarrin e gjenisë të shpëtuar nga gërshëra
Mermeri fërgëllues do na thoshte nëse jeta
Eshtë një festë më e bukur kur na ftojnë aty
Në moshën që skuqet nga turpet e dashurisë,
Se në moshën që rënkon për të mos parë ditën;
Nëse për të arritur ekzistencën e flakën e saj
Më mirë të kesh që në lindje gjithë shpirtin e saj.
Por çfarë koncertesh të mëdha, çfarë fjalësh, çfarë ngjyrash
Të një bote të lëmuar do skicojnë dhimbjet
E mbi dallgën e përmbytjes do skalisin për ne
Madhështinë e fajtorit dhe të gjykatësit?
Në këtë vizatim të madhërishëm vërvitur mbi një mal
Mungojnë lëvizja, poteret, pafundësia;
Koncerti ku do ishte kjo skenë e derdhur
Do vajtonte formën dhe mendimin;
E nëse poezia provonte tablotë
Për të vazhduar kërdinë dhe lëvizjen e ujrave,
E vetme, pa ngjyrat, zërat melodiozë,
Ajo do kërkonte motrat e saj harmonike.
Zbrit pra, lirë trefishe, instrument i panjohur,
O ti! Që mes nesh s’ke ardhur akoma
E që duke u drobitur thërret gjeninë,
Pa ty asnjë bukuri, pa ty asnjë harmoni;
Muzikë, poezi, art i pastër i Rafaelit,
Ju do bëheni një Zot …, por në një altar të vetëm!
Kështu i flisja asaj…

No comments: